Skip to main content

NGA MËSIMDHËNIA RUTINË DREJT NJË MËSIMDHËNIE TË KLASIT BOTËROR NË ARSIMIN E LARTË

Prof. Dr. Naser Zabeli[i]

(Universiteti i Prishtinës, “H. Prishtina)
 

NGA MËSIMDHËNIA RUTINË DREJT NJË MËSIMDHËNIE TË KLASIT BOTËROR NË ARSIMIN E LARTË

Përparimi i dijeve, zbulimi, inovacioni, kreativiteti, janë fundamente të çdo qytetërimi. Universitetet në forma të ndryshme ofrojnë studime të niveleve të ndryshme dhe kanë rol kryesor në zhvillimin e hulumtimeve cilësore në fushën akademike, sociale, ekonomike, teknologjike etj., pra në të gjitha sferat e jetës. Përmes tyre, synohet modernizimi i vet arsimit të lartë dhe bashkë me këtë, modernizimi i gjithë shoqërisë dhe kjo padyshim se gjeneron edhe rreziqe. Sot universitetet ballafaqohen, ndër të tjera, me një masivizim dhe diversifikim të madh të studentëve dhe ballafaqimi me këtë nuk është çështje e thjeshtë. 

Në universitete të ndryshme gjithandej botës janë bërë ndryshime të mëdha, qoftë në strukturë të jashtme, qoftë në strukturë të brendshme. Mësonjëtoret e universiteteve sot janë të mbushura me aparaturë e mjete të sofistikuara teknologjike dhe kjo mund të vërehet qartë qoftë edhe me një vizitë rutinore në cilindo universitet. Ne jemi dëshmitarë të fascionimit për nga dizajni i kampuseve universitare, i  objekteve universitare, i mjeteve fizike e pedagogjike që gjinden përbrenda atyre mureve të bukura. Por, a mjafton kjo për të thënë që jemi modernizuar? Jo! Në fakt, kjo është diçka e mirë, e mrekullueshme dhe askush nuk mund të mohon vlerën e tillë materiale, por a mjafton kjo? Jo! E mahnitshmja qëndron në vlerat apo burimet njerëzore, në profesionistët që veprojnë aty brenda, te udhëheqësit, administratorët, mësimdhënësit, studentët, pra tek i gjithë stafi akademik. Fasadat me ngjyra të bukura, korridoret me saksi lulesh, bankat e tavolinat me stil janë vetëm një vlerë estetike, ndërsa bukuria qëndron tek ata që lëvizin përreth, te studentët, mësimdhënësit, udhëheqësit, administratorët e ekspertët e ndryshëm. Ata janë personat që dizajnojnë e ofrojnë programe të mira apo jo, programe tërheqëse apo jo, programe konkurruese apo jo, programe që ofrojnë mundësi për zhvillim të shkathtësive dhe  kompetencave për studentë të cilët në vijim do të futen në tregun e punës. Për këtë, duhen kurrikula cilësore dhe mbi të gjitha profesionistë cilësor, mësimdhënës që do të dinë, jo vetëm të thonë fjalë të bukura në leksione të gjata, e të transmetojnë njohuri, por që do të dinë të zhvillojnë shkathtësi e kompetenca te studentët.

 

Të menduarit për mësimdhënien: Çfarë është studenti? Çfarë bën mësimdhënësi? Çfarë bën studenti?

 

Mësimdhënia në AL, aktualisht po kalon nga një paradigmë mësimore tradicionale me rol kyç të mësimdhënësit, drejt një paradigmë me studentin në qendër. Në këtë drejtim është kruciale mësimdhënia, mënyra se si e bëjmë atë në klasa fizike apo virtuale. Biggs dhe Tang (2007), theksojnë se efektiviteti në mësimdhënie është shumë i rëndësishëm nga mënyra se çfarë mendojmë për të ( mësimdhënien) dhe të kuptohen tri nivele rreth saj (të menduarit rreth mësimdhënies), duke dhënë përgjigje në tri çështje:  Çfarë është studenti? Çfarë bën mësimdhënësi? Çfarë bën studenti? 

Në nivelin e parë (çfarë është studenti) mësimdhënësit përqendrohen kryesisht në dallimet që ekzistojnë midis studentëve dhe i klasifikojnë si të mirë, mesatar apo të dobët dhe ky klasifikim ndodh mbi bazën e vlerësimit të njohurive të tyre duke e vendosur përgjegjësinë ekskluzivisht tek ata (studentët). Pra, nëse e arrijnë apo jo mësimin, në njëfarë mënyre është problemi i tyre dhe përqendrimi i mësimdhënësit është në ofrim të përmbajtjes, qëllimi i mësimit është konstant dhe mësimdhënësit nuk shqetësohen se si studentët duhet të marrin përmbajtjen apo cila është thellësia e të kuptuarit të tyre. 

Në nivelin e dytë (çfarë bën mësimdhënësi) nga ana e mësimdhënësit merren parasysh dallimet midis studentëve. Mësimdhënësit në këtë nivel, në vend të transmetimit të informacionit, përqendrohen në të kuptuarit e koncepteve duke përdorur një mori të teknikave, duke vendosur gjithashtu rregulla dhe udhëzime të qarta. Ndonëse kjo mënyrë konsiderohet një avancim në mësimdhënie, Biggs dhe Tang (2007), e kritikuan për arsye se e konsiderojnë ende si një model ku roli i mësimdhënësit është dominant ani pse, fajin për mos arritje të studentëve më shumë e ka mësimdhënësi. 

Në nivelin e tretë (çfarë bën studenti) përqendrimi është në atë çfarë bën studenti dhe mënyra se si lidhet kjo me mësimdhënësin. Ky nivel është një lloj përmirësimi  apo balancimi i kufizimeve që rrjedhin nga niveli një dhe dy. Në këtë nivel mësimdhënia mbështetet në të mësuarit e studentëve dhe mësimdhënësi (për mosarritje) nuk vë faj te studentët, por as te vetja. Përqendrimi, pra është te rezultati i dëshiruar i të mësuarit. Në këtë kuptim mësimdhënësi harton rezultate të të mësuarit dhe hulumton se çfarë mësimdhënie duhet për t’u arritur ato rezultate. Mësimdhënësi në këtë rast zbaton strategji e teknika të llojllojshme për të lehtësuar procesin e të mësuarit dhe për t’u  siguruar se vlerësimi i të mësuarit bëhet në mënyrën e duhur. Në këtë mënyrë mësimdhënia nuk konsiderohet një çështje e transmetimit, por e angazhimit të studentëve në të mësuarit aktiv duke ndërtuar njohuritë e tyre në kuptimin e asaj që ata tashmë e kuptojnë. 

 

Teoria X dhe Y - si një diskurs përcaktues i paradigmës së mësimdhënies tradicionale dhe bashkëkohore

Bazuar në tri nivelet e sipërshënuara rreth të menduarit për mësimdhënien, Bigs dhe Tang (2007), ndër teori të ndryshme si pjesë të konceptualizmit teorik, përshkruajnë edhe të ashtuquajturën teoria X dhe Y. Teoria X përfaqëson mësimdhënien tradicionale, ndërsa teoria Y mësimdhënien bashkëkohore.

Mësimdhënia sipas teorisë X është më e bazuar në udhëzime dhe e strukturuar, ekzaminime të standardizuara të shndërruara në normë, nuk lejon ndërhyrje nga studentët apo ato janë tejet të reduktuara, kufizon të mësuarit e vetëdrejtuar dhe kryesisht karakterizohet me të mësuar sipërfaqësor. Mësimdhënia konsiderohet si transmetim ku të mësuarit nuk është pjesë e diskutimit. Kjo qasje i takon organizimit tradicional të mësimit, ku dominuese është leksioni dhe mësimdhënësi zakonisht prezanton temën, shpjegon, jep shembuj, merr pyetje, jep përgjigje dhe mbyll, përfundon orën. Studentët dëgjojnë, mbajnë shënime. bëjnë pyetje. Mësimdhënësit supozojnë se studentët nuk duan të mësojnë, nuk e vlerësojnë të mësuarit ose nuk duhet të jenë pjesë e ndonjë diskutimi domethënës, sepse nuk kanë njohuri të mjaftueshme për një gjë (temë) të tillë. 

Mësimdhënia sipas teorisë Y është e bazuar në një proces interaktiv, studentët janë më të angazhuar. mësimdhënësi nxit ndërveprimet dhe gjithë procesi i të mësuarit zhvillohet në një frymë bashkëpunuese dhe më e lehtësuar. Mësimdhënësit që përfaqësojnë teorinë Y besojnë në mundësitë e studentëve dhe në përmirësimin e rezultateve të tyre. Ata besojnë në lirinë e studentëve dhe se kur ata e kanë këtë liri, e bëjnë punën më mirë. Mbi këtë bazë të lirisë, mësimdhënësit i ekzaminojnë studentët përmes vlerësimeve të ndryshme dhe jo vetëm në ato të standardizuara. 

Nga një analizë e thjeshtë, teoria X dhe Y vërehet se qëndrojnë në pole të kundërta. Nga përvoja ime në arsimin e lartë, të dy këto pole i hasim në praktikë. I gjejmë edhe përfaqësuesit e teorisë X që mbajnë leksione dhe ikin nga klasa pa u shqetësuar për të mësuarit e studentëve, por fatmirësisht i hasim edhe përfaqësuesit e teorisë Y që preokupim kanë arritjet e studentëve, mënyrën se si mësojnë dhe se nuk rreshtin së punuari për të arritur rezultate sa më të mira dhe për të ofruar qasje që ndihmojnë për të zhvilluar shkathtësi e kompetenca që studentëve u duhen në praktikë. Është kënaqësi e veçantë kur një student pas dhjetë viteve të takon dhe të thotë: Mësimet tua, angazhimi yt ka bërë që unë, para komisioneve, të jap përgjigjet më të mira  për t’u  pranuar në punë dhe se, përvojat nga klasa juaj më ndihmojnë çdo ditë të jem më i mirë në profesion. Paramendo nëse ndonjë prej tyre të takon dhe të thotë: Te ti e kam notën maksimale, por nuk më ka hyrë në punë asnjëherë!

 

Epoka industriale, epoka e dijes dhe epoka e pasdijes

Studiuesi Ehlers (2020), mbi bazën e rolit të njohurive në epoka të ndryshme, i dallon tri periudha: epoka industriale në të cilën teknologjia ishte në ballë dhe individët do t'i nënshtroheshin makinerive të prodhimit industrial; epoka e dijes, e mundësuar nëpërmjet zhvillimit masiv të sistemit arsimor duke çuar në atë që dija të bëhet faktori kryesor për lëvizshmërinë shoqërore dhe epoka e sotme e pasdijes, një koncept më gjithëpërfshirës i individit, aftësia e vetorganizuar për të vepruar, krijimtaria, inovacioni dhe kompetenca, një vizion i ri individësh të aftë për të vepruar nën rrethana të reja, të panjohura dhe që mund të kryejnë zgjidhjen e problemeve komplekse. Pra, ne sot i takojmë periudhës së tretë të pasdijes dhe natyrshëm shtrohen pyetjet: 

1. Çfarë shkathtësish  do t'u nevojiten njerëzve në të ardhmen për të formuar botën dhe mjedisin e tyre si qytetarë në një kontekst gjithnjë e më të globalizuar? Cilat shkathtësi kanë nevojë për punonjësit për të përballuar zhvillimin e vazhdueshëm dhe përshtatjen me situata të reja në organizata dhe në jetën e punës? 

2. Si mund të ndihmojnë organizatat stafin e tyre për të fituar këto shkathtësi  dhe cilat forma dhe struktura organizative nevojiten për të zhvilluar organizimin optimal kultural?

3. Çfarë mund të bëjnë institucionet e arsimit të lartë për të promovuar këto shkathtësi mes studentëve? Si duhet të strukturohen studimet dhe mësimdhënia dhe cilat forma janë të përshtatshme në didaktikën e arsimit të lartë dhe dizajnet e të mësuarit? (Ehlers, 2020, f. 4-5 ).

Natyrisht që përgjigjet në këto pyetje nuk janë të lehta. A janë të mundshme të realizohen? Përgjigjja do të ishte: po, mund të realizohen duke iu referuar edhe gjendjes së arsimit të lartë në Kosovë. Cili është argumenti për këtë përgjigje pozitive? Argumenti qëndron në mundësitë infrastrukturore qofshin të natyrës fizike, financiare apo të burimeve njerëzore. Tani infrastruktura fizike, nuk është se është e nivelit të ulët. Ka vend shumë për përmirësim, por megjithatë ajo është në nivel të kënaqshëm. Ta zëmë, kampusi i universiteteve të arsimit të lartë në Kosovë, nuk është në nivel të ulët. Objektet universitare janë solide, pajisjet brenda po ashtu, madje në disa fakultete janë të avancuara ( si p.sh. në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës). Në anën tjetër, problemet më të mëdha janë te pjesa financiare. Zakonisht ankohemi se nuk kemi financim të mjaftueshëm. Kjo është shumë e vërtetë, por më i vërtetë është fakti se, jo që nuk ka mjete financiare, por  mënyra e destinimit të tyre. Pra, ato nuk destinohen në nivelin e duhur dhe në anën tjetër janë procedura shumë të centralizuara, saqë e ngulfasin mundësinë për të bërë ndryshime dhe ndërhyrje të shpejta. Janë procedura shumë burokratike të cilat të lodhin, të vonojnë dhe kështu shtypin vullnetin dhe dëshirën e menaxhuesve për të bërë ndryshime të duhura dhe në një periudhë optimale. Kjo qasje duhet të ndërrojë një orë e më parë, përndryshe proceset reformuese do të vazhdojnë me vite të tëra (ashtu siç ka ndodhur deri më tani). Në këtë drejtim, duhet një mes midis centralizimit ekstrem dhe decentralizimit. Kjo do t’u mundësonte institucioneve, universiteteve dhe brenda tyre, fakulteteve për të vepruar sipas kërkesave të kohës, natyrisht duke shtuar shkallën e përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Në këtë vijimësi, një argument i qëndrueshëm ( sipas mendimit tim) në favor të mundësisë (për të dhënë përgjigje në tri çështjet e shtruara më lartë) janë burimet njerëzore. Mendoj se, arsimi i lartë në Kosovë, tanimë ka burime të mjaftueshme njerëzore, ka ekspertë, akademikë, mësimdhënës, hulumtues të klasit botërorë që mund të çojnë proceset përpara. Të gjitha institucionet e arsimit të lartë janë të përfshira në projekte ndërkombëtare. Në veçanti, Universiteti i Prishtinës është pjesë dhe bartës i shumë projekteve ndërkombëtare. Ka mobilitet të madh të mësimdhënësve universitarë, vizita studimore të natyrave të ndryshme dhe lehtë përvojat e marra mund të zbatohen në institucionet tona. Po të shtroheshin ato pyetje ta zëmë para pesëmbëdhjetë viteve, argumenti në favor të burimeve njerëzore nuk do të vlente. Por sot, po. Mësimdhënësit që punojnë në arsimin e lartë në Kosovë janë kuadro që, kohëve të fundit i janë përkushtuar zhvillimit profesional të tyre, qoftë me studime të kompletuara në vende të ndryshme dhe shumë më shumë, nga profesionistë që studimet i kanë mbaruar në vend, por që kanë investuar shumë në zhvillimin e tyre profesional, hulumtues e shkencor. Prandaj, është e dhimbshme që institucionet tona vendimarrëse, të mos e shfrytëzojnë këtë kapital! Është e dhimbshme që tani në këto vite të ankohemi për rezultate jo të mira, për rangim jo të mirë të universiteteve tona në rang botëror. 

 

Çfarë mësimdhënie u duhet studentëve?

Aktualisht në vitet në të cilat po jetojmë, gjërat po ndryshojnë me të madhe. Njohuria nuk është më qëllim në vetvete ani pse nuk duhet anashkaluar. Përvetësimi i njohurive nga studentët është pra, vetëm një pjesë e vogël e asaj që u nevojitet atyre. Madje, mundësitë për t’i poseduar ato njohuri janë jashtëzakonisht të mëdha. Nuk kanë nevojë të vrapojnë nëpër biblioteka apo të porosisin një libër nga një vend tjetër për t’iu ardhur pas një periudhe të gjatë kohore. Sot informatat i kanë në “maje të gishtave”, në një ekran të vogël apo të madh dhe i marrin për disa sekonda. Ata ( studentët) sot  nuk kanë nevojë për mësimdhënës  të cilët u deponojnë informacione të cilat edhe mund të mos iu duhen asnjëherë. Mund të mendojmë dhe të kthehemi pas në studimet tona kur ne kemi qenë studentë. Sa e sa informacionet na janë dhënë dhendoshta asnjëherë s’na janë dashur! Atëherë, pse ne duhet të vazhdojmë ashtu? Pra, duhet të ndalemi në vend dhe të mos vazhdojmë në atë mënyrë. Studentëve sot u duhen më shumë shkathtësi e kompetenca për të vepruar në situata në të cilat nuk janë ndodhur ndonjëherë. Prandaj, sot nevojitet mësimdhënie që shpie drejt zhvillimit të shkathtësive për t’u  përballur në të ardhmen në plotë situata të panjohura. 

 

Nga njohuria drejt kompetencave: Zhvillimi i shkathtësive të së ardhmes

Në qoftë se pajtohemi se dija nuk u mjafton dhe nuk hyn shumë në funksion të studentëve, punëtorëve, profesionistëve në të ardhmen, atëherë imperativë mbetet zhvillimi i shkathtësive për t’i bërë ata kompetentë që të jenë në gjendje të gjinden, punojnë dhe zgjidhin probleme të panjohura gjatë karrierës së tyre. Në këtë kuptim, universitetet, fakultetet, përkatësisht stafi akademik duhet krijuar: hapësira të mjaftueshme për të mësuar; mjedise mësimore ndërvepruese; ndërtim të përvojave aktive të të mësuarit; komunitete aktive të të mësuarit; teknologji inovative të të mësuarit; nxitje të diversitetit dhe gjithëpërfshirje arsimore; teknologji inovative të të mësuarit; përvoja arsimore të kalsit botëror të bazuara në kërkime; strategji të mësimdhënies me studentin në qendër; vendim-marrje të bazuara në dëshmi; kurrikula të avancuara e të përditësuara (Imperiall College London, pvb). 

Krijimi i parakushteve të sipërshënuara në formë të paradigmave, mundëson zhvillimin e shkathtësive për të ardhmen të cilat duhet bazuar në Modelin e Spirales së Trefishtë (Triple Helix Model), i cili mbështet  ndërveprimet midis tre elementëve të ndërlidhur: universitetet që angazhohen në hulumtimin bazë, industritë që prodhojnë mallra komerciale dhe qeveritë që rregullojnë tregjet, që në terma specifikë do të thotë: 

1. Shkathtësi të së ardhmes që lidhen me zhvillimin e lëndës, të cilat lidhen me zhvillimin shkathtësisë së vetë personit, të referuara si kompetenca individuale ose të ndërlidhura me zhvillimin e subjektit; 

2. Shkathtësi  të së ardhmes që kanë të bëjnë me trajtimin e objekteve ë caktuara, detyrat e punës dhe probleme, si shkathtësi  të ndërlidhura me objektin;

3. Shkathtësi të së ardhmes të cilat kanë të bëjnë me trajtimin social, organizativ dhe mjedisin institucional, i referuar si shkathtësi të ndërlidhura me organizatën (Ehlers, 2020).

Këto tri hallka të shkathtësive janë shkathtësi që kanë të bëjnë me mësimin e literacionit, literacionit digjital, pastaj vetefikasiteti, vetëkompetenca, vetëdeterminimi, reflektimi, vendim-marrja, iniciativa dhe performanca, paqartësia, projektimi i të të menduarit, kompetenca e sistemeve, inovacioni, krijimi i sensit, kompetenca e së ardhmes, projektimit e bashkëpunimit dhe të gjitha këto së bashku të shndërruara në kompetenca transversale, në kompetenca të transferueshme me sukses në praktikën, përkatësisht karrierën e studentëve si profesionistë në të ardhmen. 

 

Cilat universitete dhe mësimdhënës mund t’u  përgjigjen kërkesave të reja?

Universitetet duhet të  mbështeten në katër shtylla dhe skenarë për t’iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të studentëve në mënyrë që ata të jenë në gjendje t’i dalin zot vendit të punës së tyre në të ardhmen:

  1.  Përqendrim në zhvillimin e shkathtësive të së ardhmes;

  2.  Ofrim i programeve multidisciplinare; 

  3.  Personalizim i të mësuarit akademik; 

  4.  Të mësuarit gjatë gjithë jetës (Ehlers, 2020).

Këto arrihen përmes: digjitalizimit të arsimit të lartë; transformimin e shoqërisë përmes universitetit; duke iu përgjigjur ndryshimeve demografike; duke qenë fleksibil në punë dhe edukim; duke qenë universitet i hapur; duke promovuar arsimin gjatë gjithë jetës; duke sfiduar kompleksitetin dhe ambiguitetin; duke mënjanuar kontrollin dhe fuqizuar studentët; duke vlerësuar të mësuarit informal duke profilizuar dhe moduluar programet studimore. Këtyre elementeve, apo siç quhen ndryshe sekonda të ndryshimit mund t’i  shtojmë edhe të themi figurativisht tone dhe semitone të tjera që në radhë të parë ndërlidhen me ata që kanë barrën kryesore për një gjë të tillë dhe ata janë: mësimdhënësit (Ehlers, 2020).

IAL-të, përkatësisht universiteteve u duhen mësimdhënës në radhë të parë me njohuri të përmbajtjes pedagogjikemësimdhënës me kompetenca, mësimdhënës ekspertë që do të jenë në gjendje të përballen me ndryshime të vazhdueshme në karrierën e tyre (Dijk dhe të tjerë, 2020). Universiteteve u duhen mësimdhënës të  përgatitur profesionalisht, të përgjegjshëm, kompetentë, që vazhdimisht zhvillohen profesionalisht, mësimdhënës hulumtues, kreativ, reflektues, efektiv,  me veti të një personaliteti të madh, që punën e bëjnë me pasion, persona të devotshëm në punën e tyre,  që trajtojnë me dinjitet studentët dhe të tjerët, persona jo konformist. por të tillë që përballen me sfida qeveritare, persona që u paraprijnë risive, që nuk pajtohen asnjëherë me vendime që shpijnë mbrapa apo  me status quo, por që janë nismëtar dhe promovues të inovacioneve dhe që do  të jenë në gjendje,  të bëjnë ndryshime të mëdha në jetën e studentëve dhe të shoqërisë në përgjithësi. 

 

Bibliografia

  • Addison, B.P. & Tollefson, T. (2022). Fink’s Taxonomy of Significant Learning. https://uwpttc.edublogs.org/2022/03/25/finks-taxonomy-of-significant-learning/
  • Avelino (2022).  10 Benefits of Active learning. https://www.edapp.com/blog/benefits-of-active-learning/).
  • Biggs, J. &Tang, C, (2007).  Teaching for Quality Learning at University (3rd Edition). --Berkshire: Open University Press - McGraw-Hill Education.
  • Borich, G. (2017). Effective Teaching Methods: Research Based Practice (9th ed). Pearson.
  • Centre for Higher Education Research, Policy and Practice (2019). Active learning strategies for higher education. CHERPP. ISBN:1900454661.
  • Dijk, E.E.van., Tartwijk, J.van., Schaafa, M. F. van. & Kluijtmans, M. (2020). What makes an expert university teacher? A systematic review and synthesis of frameworks for teacher expertise in higher  education.  Educatiuonal Research Review. 31 (100365). https://www.researchgate.net/publication/345453528_What_makes_an_expert_university_teacher_A_systematic_revieë_and_synthesis_of_frameworks_for_teacher_ex.
  • Eikeland, I. & Erik, S. ( 2022). Differentiation in education: a configurative review.  NORDIC JOURNAL OF STUDIES IN EDUCATIONAL POLICY. 8 (3) 157–170. 
  • European University Association (2019).  Promoting active learning in universities. Thematic Peer Group Report. LEARNING & TEACHING PAPER, 5. https://eua.eu/doënloads/publications/eua%20tpg%20report%205%20promoting%20active%20learning%20in%20universities.pdf.   
  • Ehlers, U – D. (2020). Future Skills - The Future of Learning and Higher Education. Book on demand. ISBN: 9783750494268.
  • Hattie J.A.C. (2009). Visible Learning A synthesis of over 800 meta-analyses relating to achievement. Routledge.
  • Hopkins. P. (2023). Four ways active learning experiences. https://www . Timeshighereducation.com/campus/four-ways-active-learning-can-transform-learning – experiences.
  • Irvine, J. (2021).  Taxonomies in Education: Overview, Comparison, and Future Directions.  Journal of Education and Development; 5 (2).  ISSN 2529-7996 E-ISSN 2591-7250. 
  • Jocelyn, G. & Sammanasu, J.M. (2021).  Teacher Competencies Of College International Journal of Aquatic Science. 12, (02). ISSN: 2008-8019.
  • King, H. (Ed.). (2022). Developing Expertise for Teaching in Higher Education - Practical Ideas for Professional Learning and Development. London: Routledge. 
  • Mangas, C. (2020). Active learning in higher education: pedagogical strategies for collaborative work. Millenium. 2(12), 59-65. DOI: 10.29352/mill0212.05.00295. 
  • Marzano, R. J. (2007). The Art and Science of Teaching. Alexandria, VA: ASCD.
  • Mastrokoukou S., Kaliris A., Donche V., Chauliac M., Karagiannopoulou E., Christodoulides P. & Longobardi C. (2022). Rediscovering Teaching in University: A Scoping Review of Teacher Effectiveness in Higher Education. Front. Educ. (7)861458. doi: 10.3389/feduc.2022.861458).
  • Putria, G.A.P.E., Quinton, H.W. &Selkrig, H. (2023).  Reshaping teaching in higher education through a mandalaof creative pedagogiesI. TEACHING IN HIGHER EDUCATION. https://doi.org/10.1080/13562517.2023.2193665.
  • Rana, V. (2017). Teacher as a social engineer and backbone of society. International Journal of applied Research. 3(8)869-871.
  • Sayantan Mandal (2018). Teaching-Learning in Higher Education: Evolution of Concepts and an Attempt towards Developing a New Tool of Analysis.  Centre for Policy Research in Higher Education (CPRHE) National Institute of Educational Planning and Administration.
  • Silva, E. R., Amorim, C., Herguedas, J.L.A. & Batista, P. (2022). Trends of Active Learning in Higher Education and Student’s Well-Being: A Literature Review. Front Psychol. Sec. Educational Psychology 13. https://doi.org/10.3389/fpsyg.2022.844236.
  • Smith, K. (2020). Expansive Learning for Teacher Educators- The Story of the Norwegian National Research School in Teacher Education (NAFOL). Curriculum, Instruction, and Pedagogy.  https://doi.org/10.3389/feduc.2020.00043).
  • Zabeli, N. (2023). Mësimdhënia efektive dhe kurrikula. Prishtinë: Magjia e Librit.

 

[i] Artikull i shkëputur nga libri i autorit: Mësimdhënia në arsimin e lartë (2024).