Skip to main content

SFIDAT E MËSIMDHËNIES SË MUZIKËS NË ARSIMIN E LARTË

Prof. Ass. Adhurim Rasimi

Hyrje

 

Mësimdhënia e muzikës në arsimin e lartë është një proces kompleks dhe shumëdimensional, që ndikon thellësisht në zhvillimin intelektual, artistik dhe personal të studentëve. Ky proces nuk është thjesht transmetim informacioni, por një udhëtim krijues që përfshin zhvillimin e aftësive teknike, teorike dhe interpretuese (Juvonen, Ruismäki, and Lehtonen 2012). Arsimi muzikor luan një rol të rëndësishëm në kultivimin e individëve, duke i aftësuar ata të kontribuojnë në pasurimin dhe avancimin e kulturës dhe edukimit muzikor në nivele lokale, rajonale dhe ndërkombëtare. Në këtë kuadër, mësimdhënia e muzikës nuk është vetëm një proces profesional, por edhe një faktor me ndikim të madh në formimin e artistëve dhe pedagogëve të rinj, të cilët mund të transformojnë dhe përsosin kulturën dhe edukimin muzikor. Arsimi muzikor ofron një bazë të fuqishme për zhvillimin e aftësive të studentëve, duke i përgatitur ata për t’u përballur me sfidat e një bote gjithnjë e më konkurruese dhe komplekse, ku nevojitet një qasje fleksibile dhe inovative për të mbijetuar dhe për t’u dalluar (Minors et al. 2017). Në këtë kontekst, është e domosdoshme që mësimdhënia të integrojë në mënyrë efektive teorinë dhe praktikën. Studentët duhet të përvetësojnë jo vetëm njohuri të thelluara teorike dhe praktike mbi muzikën, por edhe të zhvillojnë aftësi krijuese për t’u përballur me sfidat që sjellin zhvillimet dhe trendet e kohës. Kjo i përgatit ata për një karrierë të suksesshme në një mjedis gjithnjë në ndryshim, të dixhitalizuar dhe globalizuar, ku kërkohen jo vetëm aftësi teknike, por edhe një kuptim i thellë i kulturës dhe shoqërisë (Minors et al. 2017).

Institucionet e arsimit të lartë kanë për qëllim pajisjen e studentëve me aftësi të gjithanshme, që përfshijnë fleksibilitetin, krijimtarinë dhe profesionalizmin (Joseph 2015). Kjo është thelbësore për t’u siguruar që ata mund të kontribuojnë në zhvillimin e muzikës dhe artit në nivel global, ndërsa përballen me kërkesat e një tregu pune gjithnjë e më sfidues dhe konkurrues (Juvonen et al. 2012). Përmes një edukimi muzikor të mirëstrukturuar dhe të balancuar, studentët mund të zhvillojnë jo vetëm aftësitë e nevojshme për karrierën profesionale, por edhe për rritjen e shkathtësive personale dhe artistike. Për më tepër, mësimdhënia muzikore në arsimin e lartë është një instrument i rëndësishëm për pasurimin e kulturës muzikore të një vendi. Ajo kontribuon në ruajtjen dhe zhvillimin e traditave muzikore, duke hapur njëkohësisht mundësi për integrimin e formave të reja dhe të ndryshme të shprehjes muzikore, duke pasuruar kështu diversitetin kulturor (Long Long and Chee Luen 2024). Si rezultat, edukimi muzikor është një pjesë e pandashme e arsimit të përgjithshëm, dhe ndikimi i tij përshkon shumë nivele të shoqërisë, nga zhvillimi i individëve të talentuar deri te rritja e nivelit kulturor të komunitetit dhe kombit në tërësi.

.

mësimdhënia e muzikës në arsimin e lartë është një përpjekje që kërkon balancë, përkushtim dhe qasje shumëdimensionale. Ajo është thelbësore për zhvillimin e studentëve, artistëve dhe pedagogëve të ardhshëm, të gatshëm për të përballuar kërkesat e një bote gjithnjë e më globale dhe dixhitalizuar (Long Long and Chee Luen 2024). Procesi i mësimdhënies muzikore duhet të jetë transformues, duke i mundësuar individëve të arrijnë potencialin e tyre më të lartë dhe duke ofruar mundësi për rritje personale dhe profesionale në çdo fazë të edukimit të tyre.

 

Konteksti

Mësimdhënia e muzikës në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë përballet me një sërë sfidash që ndikojnë si në cilësinë e arsimit, ashtu edhe në zhvillimin profesional të studentëve dhe mësimdhënësve. Arsimi muzikor në Kosovë ka një histori të ngushtë me periudhat e ndryshme të zhvillimit social dhe politik, ku arti muzikor ka shërbyer si një mjet i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e vlerave kulturore. Pavarësisht kësaj trashëgimie të pasur, sfidat historike dhe infrastrukturore vazhdojnë të ndikojnë negativisht në progresin e kësaj fushe. Edhe pse ekziston një numër i konsiderueshëm profesionistësh të përkushtuar, mbetet e nevojshme riorganizimi i programeve të studimit, ofrimi i trajnimeve të vazhdueshme dhe aplikimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies. Një tjetër sfidë është kufizimi i mundësive për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, si dhe mungesa e angazhimit në projekte ndërkombëtare, që ndikon drejtpërdrejt në avancimin e tyre profesional dhe akademik. Në Kosovë operojnë disa institucione, si universitete dhe kolegje publike e private, që ofrojnë programe të ndryshme studimore në fushën e muzikës. Këto përfshijnë drejtimet e pedagogjisë muzikore, performancës muzikore, teknologjisë dhe produksionit muzikor, si dhe kurse të edukimit muzikor brenda fakulteteve të edukimit në nivel kombëtar, të fokusuara kryesisht në fëmijërinë e hershme dhe arsimin fillor. Megjithatë, këto programe shpesh nuk përputhen me kërkesat e tregut të punës dhe trendet globale, duke krijuar një hendek të madh midis përgatitjes akademike dhe sfidave praktike. Mungesa e një strategjie kombëtare për zhvillimin e arsimit muzikor përbën një tjetër pengesë të rëndësishme.

Pa një vizion të qartë dhe të mirëstrukturuar, zhvillimi i kësaj fushe mbetet i fragmentuar dhe shpesh i varur nga përpjekjet individuale të institucioneve ose profesionistëve të dedikuar. Në epokën e globalizimit, kur arsimi muzikor duhet të ndjekë trendet bashkëkohore, bëhet e domosdoshme përshtatja e kurrikulave dhe integrimi i teknologjisë për të përgatitur profesionistë të aftë për sfidat e së ardhmes.

 

 

Mësimdhënia e muzikës në arsimin e lartë

Për të kuptuar gjendjen aktuale dhe sfidat me të cilat përballet mësimdhënia e muzikës në arsimin e lartë në Kosovë, u organizua një tryezë muzikore me temë “Sfidat e mësimdhënies së muzikës në arsimin e lartë”. Kjo tryezë, e mbajtur më 21 qershor 2024, ishte pjesë e aktiviteteve të ndryshme të organizuara në kuadër të projektit MAGNET, një nismë e mbështetur nga programi Erasmus+. Qëllimi i projektit MAGNET është zhvillimi i një rrjeti bashkëpunimi midis universiteteve të Ballkanit Perëndimor dhe përmirësimi i cilësisë në arsimin e lartë.

Në këtë debat morën pjesë 12 pjesëmarrës, të cilët janë të përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në arsimin universitar. Për arsye etike dhe profesionale, pjesëmarrësve do t’u referohem vetëm me numra rendor, pa përmendur emrat ose institucionet që ata përfaqësojnë.

Pjesëmarrësit vinin nga disa institucione të rëndësishme që ofrojnë programe muzikore në Kosovë, përfshirë:

  • Degën e Arteve Muzikore në Universitetin e Prishtinës,
  • Fakultetin e Arteve në Universitetin "Haxhi Zeka" në Pejë,
  • Fakultetin e Muzikologjisë në Kolegjin AAB,
  • Fakultetin për Muzikë Moderne në Kolegjin UBT,
  • Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës,
  • Përfaqësues nga Filharmonia e Kosovës.

 

Ky diskutim ofroi një platformë të rëndësishme për të analizuar sfidat ekzistuese, për të ndarë përvojat dhe për të propozuar zgjidhje që do të kontribuojnë në zhvillimin dhe përmirësimin e mësimdhënies së muzikës në arsimin e lartë në Kosovë.

 

 

Tabela nr. 1: Pjesëmarrësit e përfshirë në debat sipas gjinisë, moshës, institucionit dhe angazhimit në mësimdhënien e muzikës në arsimin e lartë.

 

Nr.

Gjinia

Mosha

Instituconi

Angazhimi i drejtëpërdrejtë ose indirekt në mësimdhënien e muzikës në arsimit e lartë

1

F

52

Univesitet

Drejtëpërdrejtë

2

M

48

Univesitet

Drejtëpërdrejtë

3

M

51

Univesitet

Drejtëpërdrejtë

4

F

60

Univesitet

Drejtëpërdrejtë

5

M

35

Univesitet

Drejtëpërdrejtë

6

F

58

Univesitet

Drejtëpërdrejtë

7

F

53

Univesitet

Drejtëpërdrejtë

8

M

56

Univesitet

Drejtëpërdrejtë

9

M

36

Institucionkulturor

Indirekt

10

F

59

Univesitet

Drejtëpërdrejtë

11

F

38

Univesitet

Indirekt

12

F

53

Univesitet

Drejtëpërdrejtë

 

Gjatë këtij debati u trajtuan tema të ndryshme që lidhen me mësimdhënien në arsimin e lartë, duke u fokusuar veçanërisht te sfidat e mësimdhënies së muzikës në këtë nivel. Diskutimet u orientuan në identifikimin e problemeve kryesore dhe në eksplorimin e mundësive për përmirësimin e cilësisë dhe efektivitetit të procesit mësimor në fushën e muzikës.

 

Sfidat e Mësimdhënies së Muzikës në Arsimin e Lartë

Gjatë tryezës debatuese, pjesëmarrësit ndanë pikëpamje të ndryshme mbi sfidat dhe barrierat që ndikojnë në procesin e mësimdhënies dhe të nxënies së muzikës në arsimin e lartë. Diskutimet u përqendruan në identifikimin e sfidave kryesore që përballen profesorët dhe studentët gjatë dinamikës së të mësuarit dhe mësimdhënies. Shumë prej këtyre sfidave lidhen me specifikat e institucioneve ku ata punojnë, por një pjesë e madhe pasqyron edhe situatën e përgjithshme në nivel kombëtar. Këto diskutime nxorën në pah rëndësinë e trajtimit të çështjeve strukturore, metodologjike dhe praktike që ndikojnë në përgatitjen dhe formimin profesional të studentëve në fushën e muzikës.

Tabela nr. 2.

Tema

Sfidat e Mësimdhënies së Muzikës në Arsimin e Lartë

Cështjet kryesore

Studimet e muzikës në arsimin e lartë në Kosovë

Sfidat:

·      Shumica e mekanizmave ligjorë (rregullore, korniza ligjore) nuk përputhen me natyrën dhe specifikat e mësimit apo studimeve në fushën artistike, por janë shabllone të përgjithshme që më tepër i përshtaten fushave të tjera të studimit (në disa drejtime si interpretim/përformancë, kompozim etj., mësimi është individual ose i kombinuar në grupe më të vogla).

·      Shumë institucione prodhojnë mësimdhënës të muzikës, ndërsa tregu (i ngopur) nuk arrin t’i absorbojë këta mësimdhënës.

·      Mungesa e studentëve vjen si rezultat i një rënieje drastike të interesit tek të rinjtë për të zgjedhur profesionet muzikore, ose për shkak se nuk dëshirojnë të bëhen mësimdhënës të muzikës.

·      Ka disproporcion mes “ofertës dhe kërkesës”, sepse, nga njëra anë, vërehet rënia e numrit të studentëve, ndërsa nga ana tjetër, është shënuar rritje e institucioneve që ofrojnë studime muzikore.

·      Rënia e interesimit të të rinjve për të studiuar në këto fakultete lidhet me “mospërputhjen” mes viteve të angazhimit dhe mungesës së perspektivës, si dhe me mundësitë gjithnjë e më të vogla që ky profesion ofron për mirëqenie.

·      Në dallim nga profesionet e tjera që kanë patur një sinkronizim, në fushën e muzikës ekziston një pluralizëm, ku çdo shtet apo institucion i ka organizuar ato në mënyra të ndryshme.

·      Mungesa e skenës muzikore: përveç kryeqytetit, që ofron mundësi punësimi në institucione të ndryshme kulturore si Filharmonia, Opera, festivale të ndryshme ose kompani që kontraktojnë muzikantë për performanca, qytetet e tjera të mëdha nuk i ofrojnë këto mundësi.

·      Mungesa e perspektivës për muzikantët e rinj: shumica e studentëve të diplomuar, për shkak të mungesës së ansambleve dhe formacioneve të ndryshme muzikore në qendrat e mëdha të vendit, nuk kanë mundësi për angazhim profesional.

·      Mosrespektimi i mekanizmave ligjorë nga institucionet e ndryshme arsimore, sidomos DKA-të: për shembull, kandidatët që përfundojnë muzikologjinë kryejnë funksionin e mësimdhënësit; gjithashtu, interpretuesit artistikë (p.sh. klarinetistët, violinistët ose solokëngëtarët) punojnë si pedagogë muzikorë në shkollat e përgjithshme në vend të shkollave profesionale në drejtimet e tyre përkatëse, ose anasjelltas, ku pedagogët që kanë përfunduar pedagogjinë e muzikës japin mësim në shkollat e muzikës në lëndë si piano ose lëndë të tjera profesionale, në vend se të punojnë në shkollat e përgjithshme.

·      Mungesa e teksteve profesionale në gjuhën amtare në shumicën absolute të kurseve muzikore për studentët, por edhe për nxënësit në shkollat e muzikës.

 

 

Pjesëmarrësit identifikuan shumë sfida dhe shprehën qëndrime të llojllojshme lidhur me sfidat e mësimdhënies së muzikës në arsimin e lartë. Duke shfletuar disa dokumente të rëndësishme, në bazë të të cilave duhet të udhëheqet zhvillimi i edukimit muzikor në përgjithësi dhe në arsimin e lartë gjithashtu, në nivelin europian (sipas AEDS), asociacioni për studimet e muzikës në arsimin e lartë vërehet se “për dallim nga përformanca artistike, që nuk varët vetëm nga shkollimi apo niveli i studimeve, por më tepër nga niveli i përformancës dhe interpretimit, i vetmi profesion i rregulluar në fushën e muzikës është profesioni i mësimdhënësit”. Pra, nëse dëshiron të punosh si mësimdhënës i muzikës në të gjitha nivelet, atëherë duhet t’i nënshtrohesh studimeve dhe kualifikimeve të nevojshme. Në këtë kontekst, duke iu referuar literaturës në arsimin e lartë të vendeve të ndryshme europiane, për dallim nga profesionet e tjera që kanë patur një sinkronizim, në fushën e muzikës ka një pluralizëm, ku secili shtet apo institucion i ka organizuar ato në mënyra të ndryshme (P-1).

Përdorimi i studimeve të shumta në nivel vendi konsiderohet gjithashtu një sfidë esenciale. Shumë institucione prodhojnë mësimdhënës të muzikës, ku tregu (është i ngopur) nuk i absorbon këta mësimdhënës (P-7). Aktualisht ka shumë mësimdhënës të edukatës muzikore që janë të papunë, sepse kapacitetet e kërkuara për mësimdhënësit e muzikës janë të plotësuara (P-2). Megjithatë, duke iu referuar trendeve aktuale, konsiderohet se në një të ardhme të afërt do të ketë mungesë të studentëve, sepse ka një rënie drastike të interesit tek të rinjtë për të zgjedhur profesionet muzikore, ose për shkak se nuk dëshirojnë të bëhen mësimdhënës të muzikës. Ka disproporcion në mes të “ofertës dhe kërkesës”, sepse në një anë vërehet se është duke rënë numri i studentëve, ndërsa në anën tjetër ka patur rritje të institucioneve që ofrojnë studime muzikore (P-2). Kjo situatë ndërlidhet edhe me fakultetet e edukimit, ku vërehet rënia e interesimit të të rinjve për të studiuar në këto fakultete, ndërsa në anën tjetër, në nivel vendi ka shumë universitete që ofrojnë këto studime. Janë pesë qendra / qytete të ndryshme të Kosovës që ofrojnë këto programe të studimit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme (0-6 vjeç) dhe për nivelin fillor (P-8). Rënia e interesimit për të studiuar muzikën ndërlidhet edhe me “mospërputhjen” në mes të viteve të angazhimit dhe mungesës së perspektivës, si dhe mundësive gjithnjë e më të vogla që ofron ky profesion për mirëqenien e tyre (p.sh. një mësimdhënës i muzikës kryen shkollën fillore të muzikës, pastaj atë të mesme, fakultetin, masterin) (P-2). Rënia e interesimit fillon më herët, konkretisht me rënien e numrit të nxënësve në shkollimin paraprak (shkolla fillore dhe e mesme e muzikës), e cila pastaj reflektohet në arsimin universitar. Kjo është gjithashtu e lidhur me faktin se tani vërehet mungesa e studentëve në drejtime të caktuara, sidomos tek instrumentet frymore (P-3).

Është e ditur se profesionistët muzikorë kanë një kontinuitet të gjatë të studimeve (përfshirë këtu shkollën fillore të muzikës, shkollën e mesme të ulët, shkollën e mesme të lartë, fakultetin, masterin, me mundësi edhe në PhD për disa drejtime të caktuara), për t’u përgatitur për të dalë në treg, megjithatë mbetet sfidë kush i punëson ata (P-1). Mungesa e skenës muzikore, ku përveç kryeqytetit që ofron mundësi punësimi në institucione të ndryshme kulturore si Filharmonia, Opera, festivalet e ndryshme, ose kompani të ndryshme që kontraktojnë muzikantë për performanca muzikore, qytetet e tjera të mëdha nuk ofrojnë këto mundësi. Kjo do të thotë se e vetmja mundësi e punësimit për ta mbetet mësimdhënia, që po i detyron interpretuesit të punojnë si pedagogë të muzikës në shkolla të përgjithshme, e cila më pas po krijon një konkurrencë jo reale apo “përzierje në kompetencat e tjetrit”. Në këtë rrjedhë, brengosëse konsiderohet gjithashtu mungesa e perspektivës për muzikantët e rinj, sepse shumica e studentëve të diplomuar, për shkak të “mungesës së ansambleve dhe formacioneve të ndryshme muzikore nëpër qendrat e mëdha të vendit, nuk kanë mundësi angazhimi profesional” (P-4). Gjithashtu, problematike është edhe “mosrespektimi i mekanizmave ligjorë nga institucionet e ndryshme edukative, sidomos DKA-të. P.sh., kandidatët që përfundojnë muzikologjinë kryejnë funksionin e mësimdhënësit; gjithashtu, performuesit artistikë (p.sh. klarinetistët, violinistët ose solokëngëtarët) punojnë si pedagogë muzikorë në shkollimin e përgjithshëm, në vend të shkollave profesionale në drejtimet e tyre përkatëse, ose anasjelltas, ku pedagogët që kanë përfunduar pedagogjinë e muzikës japin mësim në shkollat e muzikës në lëndën e pianos ose ndonjë lëndë tjetër profesionale, në vend se të punojnë në shkollat e përgjithshme” (P-8). Gjithashtu, sipas ligjit për arsimin e lartë në Kosovë, “studentët që përfundojnë kolegjet private nuk kanë të drejtë të punësohen si mësimdhënës”.(The Law on Higher Education in the Republic of Kosovo 2011). Pra, i zënë vendin atyre që janë të profilizuar në drejtimet përkatëse” (P-8). Për më shumë, profilizimi konsiderohet se “është çështje e rëndësishme, sepse, sikur për performuesit solokëngëtarët apo interpretët tjerë që punojnë në shkollat e përgjithshme në vend të pedagogëve muzikorë, e njëjta ndodh në disa institucione të tjera, si p.sh., në RTK, ku pedagogët muzikorë punojnë në produksion në vend të atyre që janë të kualifikuar specifikisht në këto drejtime” (P-5). Pra, ka një mospërputhje në shumë institucione, qofshin ato kulturore, mediatike apo edukative, dhe në veçanti edhe “mungesa e teksteve profesionale në gjuhën amtare në shumicën absolute të kurseve muzikore për studentët, por edhe për nxënësit në shkollat e muzikës” (P-3).

 

 

Perspektivat e Pjesëmarrësve

Mësimdhënia e muzikës në arsimin e lartë përballet me një mori sfidash që ndikojnë në cilësinë e studimeve muzikore. Për këtë arsye, perspektivat e pjesëmarrësve, që përfshijnë profesionistët e muzikës, janë thelbësore për të kuptuar kompleksitetin e këtyre sfidave. Çdo grup ka përvojat dhe pritshmëritë e tij, të cilat formojnë mënyrën se si ata e perceptojnë mësimdhënien dhe ndikimin e saj në zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive muzikore. Analiza e këtyre perspektivave ndihmon për të identifikuar barrierat dhe mundësitë për përmirësim, duke ofruar një pamje të plotë mbi dinamikën e mësimdhënies së muzikës në kontekstin e arsimit të lartë.

 

 

 

 

 

 

 

Tabela nr. 3.

Tema

Perspektiva e edukimit muzikor nga këndvështrimi i mësimdhënësve të muzikës në arsimin e lartë

Cështjet kryesore

E ardhmja e mësimdhënies së muzikës

Perspektivat:

·      Sensibilizimi i institucioneve relevante për të rishikuar kurrikulën dhe, krahas kësaj, zhvillimi i programeve të studimeve në përputhje me trendet e reja dhe kërkesat e kohës;

·      Programet e studimeve të zhvillohen edhe me zhanre të tjera, krahas trendeve bashkëkohore (që studentët i preferojnë dhe jetojnë me to);

·      Programet muzikore ekzistuese, përveç tjerash, të pasurohen edhe me aspekte nga fusha e ekonomisë, si: marketingu, media sociale, digjitalizimi, buxhetimi etj., të cilat zhvillojnë edhe shpirtin ndërmarrës;

·      Profilizimi apo zhvillimi i programeve duhet të ndodhi shumë më herët, që në shkollën e mesme të muzikës, pasi aty është burimi i studentëve të ardhshëm;

·      Duhet bërë riorganizim në arsimin e lartë dhe të shmanget duplikimi i disa programeve që ndërlidhen drejtpërdrejt ose indirekt me edukimin muzikor;

·      Përmirësimi i infrastrukturës së nevojshme për studime cilësore (pajisja me mjete teknologjike, smartboard-e, qasja e bollshme në internet që do të mundësonte qasje të pakufizuar në platforma të ndryshme etj.).

 

 

Në vijim do të paraqesim disa nga perspektivat e pjesëmarrësve nga këndvështrime të ndryshme.
“Ne si profesionistë të fushës duhet të bashkëveprojmë që t’i minimizojmë sfidat duke i sensibilizuar institucionet relevante që sa më parë të rishikohet kurrikula dhe krahas kësaj të zhvillohen programet e studimeve në përputhje me trendeve të reja, duke u përshtatur me kërkesat e kohës” (P-8). Në këtë drejtim, programet e studimit në drejtimet muzikore në shumicën e fakulteteve tona “ofrojnë muzikë klasike, apo vetëm muzikë europiane, andaj është mirë që këto programe të studimeve të zhvillohen edhe me zhanre të tjera që studentët i kanë për qejf dhe jetojnë me to. Së paku, deri sa të arrihet kjo, në programet muzikore ekzistuese, pos tjerash, të shtohen edhe aspektet nga fusha e ekonomisë si: marketingu, social media, digjitalizimi, buxhetimi etj., të cilat zhvillojnë edhe shpirtin ndërmarrës, sepse studentëve nuk u mjafton vetëm të përfundojnë fakultetin, por edhe futja e tyre në tregun e punës, ngritja profesionale dhe paralelisht me këto aspekte, pavarësia ekonomike dhe mirëqenia e tyre” (P-1). Lidhur me këtë çështje, “zhvillimi i programeve në përputhje me nevojat aktuale duhet të ndodhë sa më parë, sepse jemi dëshmitarë se, për dallim nga drejtimet e pedagogjisë dhe performancës muzikore, studentët që përfundojnë teknologjinë e muzikës, si sound dizajnerë, akoma pa i përfunduar studimet, punësohen dhe e gjejnë veten si pjesë e tregut. Pra, jetojmë në një kohë tjetër që ka ndikuar në balancat e tregut dhe po i rrezikon drejtimet dhe profilizimet në arsimin e lartë, dhe për këtë arsye duhet ndërmarrë masa sa më parë” (P-4). Profilizimi apo zhvillimi i programeve duhet të ndodhë shumë më herët, “ndoshta qysh në shkollën e mesme të muzikës, meqë aty është burimi i studentëve të ardhshëm” (P-6). Në këtë drejtim “duhet të ketë kontinuitet në sinkronizimin e niveleve të shkollimit, sepse arsimi i lartë varet nga nivelet e shkollimit paraprak muzikor” (P-7).Në vazhdën e diskutimeve rreth programeve studimore, theksohet se gjithashtu “ka dallime në planprogramet e Fakulteteve të Edukimit në nivel vendi. Ne duhet t’i përshtatim ato me nevojat e tregut, dhe në këtë kontekst të integrohet sa më tepër lënda e muzikës dhe lëndët tjera të shkathtësive me shkencat shoqërore dhe lëndët e tjera në përgjithësi. Madje kjo kërkesë është vënë edhe nga ekspertët e akreditimit, ku na kërkohet që në syllabuset e lëndëve respektive të jetë e precizuar edhe mënyra se si është paraparë integrimi i tyre” (P-8). Gjithashtu, mbetet sfiduese sa do të jenë në gjendje mësimdhënësit e ardhshëm ta implementojnë syllabusin e këtyre lëndëve për t’i integruar fushat në mes vete. Duhet bërë një riorganizim në arsimin e lartë dhe të “shmanget duplikimi i disa programeve që ndërlidhen drejtpërdrejtë ose në mënyrë indirekte me edukimin muzikor” (P-8). Meqë Kosova është vend i vogël, nuk ka nevojë për kaq shumë universitete dhe (p.sh., për mësuesit e shkollave fillore dhe edukatorët, aktualisht i përgatisin Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Gjilanit, Universiteti i Gjakovës, Universiteti i Prizrenit, Universiteti i Mitrovicës), ndërsa për pedagogë muzikorë në nivelet e tjera, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Pejës, pastaj në disa drejtime të tjera edhe Kolegji AAB dhe UBT. Përveç tjerash, “duhet që përgjegjësit që merren me politikat arsimore të kryejnë obligimet e tyre që t’i përgjigjen nevojave dhe kërkesave të mësimdhënësve dhe studentëve në arsimin e lartë, duke u ofruar infrastrukturën e nevojshme për studime cilësore (p.sh., në disa institucione të arsimit të lartë mungojnë pajisjet për mbarëvajtjen e punës në mënyrë të duhur si: mungesa e pajisjeve teknologjike, smart board-e, qasje e bollshme në internet që do të mundësonte qasje të pakufizuar në platforma të ndryshme etj.)” (P-4).

Propozime për Zgjidhje

Në përpjekje për të adresuar sfidat e mësimdhënies së muzikës në arsimin e lartë, është thelbësore të reflektojmë idetë e pjesëmarrësve që kontribuojnë drejtpërdrejt në këtë proces. Pjesëmarrësit/profesionistët e muzikës kanë ofruar perspektiva të vlefshme dhe kanë dhënë propozime që kontribuojnë për të përmirësuar cilësinë e procesit edukativ dhe përtejkalimin e sfidave të mësimdhënies së muzikës në arsimin e lartë. Duke u mbështetur në këto propozime/ide, mund të zhvillohen qasje inovative dhe efektive për të përmirësuar cilësinë e arsimit muzikor, duke u fokusuar në nevojat dhe kërkesat reale të studentëve dhe mësimdhënësve (komunitetit edukativ).

Në vijim do të paraqesim propozimet e dhëna nga pjesëmarrësit për tejkalimin e sfidave në mësimdhënien e arsimit të lartë:

Riorganizimi dhe profilizimi i programeve të studimit, të cilat duhet të përshtaten me nevojat e tregut (profesionistë muzikorë në bashkëpunim me akterët relevantë – rektoratin, menaxhmentin e fakulteteve, MASHT, etj. – duhet t’i riorganizojnë dhe profilizojnë drejtimet në harmoni me kërkesat e tregut, sepse në njërën anë ka duplifikime të programeve që tejkalojnë nevojat e tregut, e në anën tjetër janë demode për kohën e tashme);

Rikonfigurimi i kurrikules (në koordinim me Agjencinë e Akreditimit dhe MASHT, të bëhet ndarja e fakulteteve sipas përgatitjes së profileve: mësimdhënës të muzikës/pedagogji muzikore, performuesit muzikorë, si dhe drejtimet që lidhen me muzikologjinë, teknologjinë e muzikës, produksionin, etj.);

Të përkrahen më tepër nxënësit dhe shkollat profesionale muzikore, në mënyrë që të stimulohet rinia për të studiuar muzikë;

Të lobohet që qeveria së bashku me Ministrinë e Kulturës të hartojë një plan të veprimit që të përkrahen komunat/qytetet në nivel vendi për të formuar ansamble të ndryshme, e kjo do t’i krijonte mundësi punësimi diplomuarve në muzikë, dhe në anën tjetër do ta shtonte interesimin dhe perspektivën e të rinjve për të studiuar muzikën;

Institucionet tona edukative dhe kulturore (në veçanti DKA-të) të respektojnë mekanizmat ligjorë që klasifikojnë dhe përzgjedhin kuadrot sipas profilizimeve konform normave të parapara;

Të organizohen programe shtesë për mësimdhënësit në shërbim (që mësimdhënësit në ciklin fillor, kl. 1-5, të zhvillohen profesionalisht dhe të përdorin metoda mësimore inovative dhe të përshtatshme që promovojnë integrimin e muzikës me fushat e tjera dhe zhvillojnë diversitetin kulturor).

Në përfundim të tryezës debatuese, u propozua që sugjerimet dhe kërkesat e dala nga diskutimet të adresohen tek institucionet relevante dhe u shtrua nevoja që takime të ngjashme të organizohen edhe në të ardhmen.

 

KONKLUZIONI

Mësimdhënia e muzikës në arsimin e lartë në Kosovë përballet me një sërë sfidash të thella që ndikojnë në cilësinë e arsimit muzikor dhe zhvillimin e profesionistëve të rinj në këtë fushë. Këto sfida lidhen me disa faktorë kyç, përfshirë mungesën e një kornize ligjore dhe rregulloreje të përshtatshme për mësimin e muzikës, mungesën e infrastrukturës adekuate, si dhe ngopjen e tregut të punës me mësimdhënës muzikorë, e cila i detyron shumë profesionistë të punojnë në pozita që nuk janë të përshtatshme për kualifikimet e tyre. Një problem tjetër është rënia e interesit të rinjve për të ndjekur studime muzikore, si dhe kufizimet që ekzistojnë në mundësitë e punësimit në sektorin muzikor, jashtë institucioneve kulturore dhe mësimdhënies.

Nga ana tjetër, pjesëmarrësit në tryezën e diskutimit kanë ofruar disa perspektiva dhe propozime për përmirësimin e situatës. Këto propozime përfshijnë nevojën për një rishikim të kurikulave dhe programeve të studimit, zhvillimin e mundësive për integrimin e zhanreve të ndryshme muzikore dhe përfshirjen e aspekteve të menaxhimit dhe teknologjisë muzikore, si dhe forcimin e bashkëpunimit midis institucioneve edukative dhe atyre kulturore dhe profesionale.

Për të përmirësuar situatën dhe për të adresuar këto sfida, është thelbësore që të ndërmerren masa të koordinuara dhe të qëndrueshme, duke përfshirë përmirësimin e kushteve ligjore dhe infrastrukturore, rritjen e mundësive për angazhimin e studentëve në aktivitete praktike dhe performanca muzikore, si dhe orientimin e programeve të studimeve drejt nevojave të tregut të punës dhe zhvillimit të sektorit muzikor në përgjithësi. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një zhvillim i qëndrueshëm i arsimit muzikor dhe një rritje e mundësive për karrierë për studentët e diplomuar në këtë fushë.

 

 

 

 

Referencat:

Joseph, Dawn. 2015. “‘We Did the How to Teach It’: Music Teaching and Learning in Higher Education in Australia.” Australian Journal of Teacher Education 40(7). doi: https://doi.org/10.14221/ajte.2015v40n7.1.

Juvonen, Antti, Heikki Ruismäki, and Kimmo Lehtonen. 2012. “Music Education Facing New Challenges.” The 5th International Conference of Intercultural Arts Education 2012: Design Learning, University of Helsinki, Finland 45:197–205. doi: 10.1016/j.sbspro.2012.06.556.

Long Long, Chen, and Loy Chee Luen. 2024. “Needs, Challenges and Prospects of Blended Learning in Music Education at the Higher Education Settings.” International Journal of Academic Research in Progressive Education and Development 13(3):2301–8. doi: http://dx.doi.org/10.6007/IJARPED/v13-i3/22396.

Minors, H., P. Burnard, C. Wiffen, Z. Shihabi, and J. van der Walt. 2017. “Mapping Trends and Framing Issues in Higher Music Education: Changing Minds/Changing Practices.” London Review of Education 15(3):457–73. doi: https://doi.org/10.18546/LRE.15.3.09.

The Law on Higher Education in the Republic of Kosovo. 2011. “Only Public Higher Education Institutions Can Offer Study Programs That Lead to the Qualification of a Teacher to Be Employed in a School.”